Secondary Adv

Kriza politike në Kosovë drejt zgjidhjes, VV dhe LDK bien dakord për Presidentin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për një emër konsensual për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë dakordësuar për kandidaturën e Prof. Dr. Bekim Sejdiut.

Abdixhiku bëri të ditur se takimet mes palëve kanë nisur që më 9 korrik, me diskutime të vazhdueshme për stabilitetin institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t'i mundësonte vendit të ecte përpara. Sipas tij, bisedimet kanë qenë të gjata, intensive dhe jo të lehta, ndërsa gjatë tyre janë shqyrtuar disa kandidatura.


“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore”, tha Abdixhiku.


Bekim Sejdiu, emri konsensual për President

Kreu i LDK-së konfirmoi se pas shqyrtimit të kandidaturave, dy palët kanë arritur marrëveshjen për Bekim Sejdiun. “Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme”, deklaroi Abdixhiku.


Marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së për një kandidat të përbashkët për Presidentin përbën një hap drejt zgjidhjes së ngërçit politik dhe institucional në Kosovë.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat